Translate

Showing posts with label Autore Drita Lushi.(Drit-Art). 2012.. Show all posts
Showing posts with label Autore Drita Lushi.(Drit-Art). 2012.. Show all posts

Sunday, June 23, 2013

UNË JAM JETA



















U rrita me hijën tënde,
qenie e padukshme,
errësirë.

Nëse ti ndenje me mua,
unë  nuk ndenja me ty,
errësirë.

Hija përpiqet t’më kontrollojë ditët,
por unë ndjehem e lirë prej teje,
errësirë.
 
Shpirti im, qenia e trupi,
përqeshin pushtetin tënd,
errësirë.

Lërmë të lirë!

Unë në fluturim me zogjtë
shoh
botën,
Lirinë …
Unë shoh …

Ti vazhdon të më lidhësh
me pranga fjalësh,
po unë jam e lirë.

Më kot përpiqesh me mua,
humnerë shpirti,
armik i dëshirave.

Unë jam …
Nuk dua t’ia di në je ti.

Unë jetoj
dhe në mos jetofsh ti …

Unë jam ...

Jeta .…




DIKUSH MË BESOI ZEMRËN



















Dikush më besoi zemrën.
Brenda saj,
shtrova një shtrat me petale.
Muret i leva me ngjyra ylberi,
si dashuria.

Çati bëra 
hojet e ëmbla të fjalëve.
Dhe aty hyra të jetoja.
Kështu, ajo
u bë shtëpia ime e re.

Dikush më besoi zemrën,
Unë i besova veten.

NJË NATË QIELLI …













Qielli dhe sonte,
vuri kapelën e vjetër
me vrima yjesh.
Galaktikat me gëzim e padurim
iu ulën në prehër.
Hëna, si zonjë shtëpie,
iu serviri çajin e zi,
në filxhanë te ndritshëm kometash.
Asteroidët i përshëndetën
teksa po shëtitnin të qetë
rreth kapelës së vjetër.
Planetët nuk e pranuan ftesën
për çajin e darkës.
Ata ishin të zënë,
me dashurinë e përhershme
për orbitat e tyre.

















UNË DHE DIELLI













Një ditë dielli,
si një djalë
,
më shkeli syrin
e tij të bukur,
e unë
i fala buzëqeshjen.

Kaluan vite
e me diellin
në dashuri rashë,
me shkelje sysh
e buzëqeshje t’arta.

Porsa vinte nata,
ma merrte dashurinë,
e unë mëngjesin prisja,
diellin tim të kisha.


Histori e hershme
kjo e jona;
e lashtë sa vitet e mia.
Unë per diellin do jem
tokësorja,
ai për mua do t’jetë
gjithësia.



DETI



















Pse hidhesh e s’përmbahesh, det?
Të shoh të lumtur,
të ngazëllyer,
të vrullshëm të shoh.
Ah! – vajzat!
 Këto lozonjare të përjetshme,
lojën e tyre të përvitshme luajnë me ty;
linjat e tyre të bronzta
të paskan turbulluar mendjen, det,
dhe ti, i dhënë kaq shumë pas tyre,
i përkëdhel me dallgët tuaja, 
herë ëmbëlsisht i butë,
herë egërsisht i dashuruar

pas trupit të tyre femëror.

Saturday, June 22, 2013

MBI PIANO













Vallëzojnë gishtat mbi piano.
Në qiell vallëzojnë zogjtë.
Ajri vallëzon me flokët e pranverës.
Në  trupin tim,
zgjohet nj
ë melodi,
luhet nj
ë  ritëm gëzimi,
dëgjohet një këngë.


... vallëzojnë gishtat mbi piano.





NJË DREJTIM



















Të gjitha rrugët më çojnë drejt teje.

Më çon zemra, që ty të ka rrahje.
Më çon fjala qëndisur me mëngjesin.
Më çon shpirti bashkë me universin.

Të gjitha rrugët të sjellin drejt meje.







NJË KUJTIM HIJE




















Sonte një hije endet vjedhurazi
ngjizur në kujtimin tënd,
kërkoka të lindë ngjizjen e saj
në shpirtin tim,
të mbijë,
të rritet …

Por jo!
S’dua rrënje e farë gjëmbash,
në plisin pjellor të shpirtit tim;
s’dua rrënjë të thara,
s’dua mbetje të zverdhura,
në ndjesitë e mia të pastra.

S’dua jo!

E, në mos gjetsha c’të mbjell,
djerr le të ngelë.

E në mos paça me ç’ta ujis,
le të thahet si shkretëtirë.

Por,
ty hije, ngjizur në kujtimin tend,
portën s’ta hap.
Shko!
Gjej shpirtin tënd binjak.
Shko!

LOJË PRANVERORE




















Sot u putha me pranverën.
Se si ndodhi, jo, s’e di;
erdh’ më puthi ajo para,
apo un’ e putha përsëri.

Ajri i blertë, gjith’ vesë,
më përk’dheli mu në faqe,
m’ erdh si  zanë me njëmij’ ngjyra,
ulur mbi një manushaqe.

Sot u putha me pranverën.
Edhe vjet me të u putha,
si rituale dashurie,
pa foleza nëpër fusha.

Sot u putha me pranverën.
Shëëëëëët , ju lutem, mos tregoni,
Kur t’ na shihni sërish bashkë,
lojën ton’ do ta kuptoni.




LULËZIM















Fushë
e paanë,
e pafund.

Nën çatinë e saj
varen medaljone stalaktidesh
të formëzuara çuditshëm.
E, në mes tyre,
mendimet e mia dhe unë
flemë    syhapur
për të parë shkrirjen
e akujve
dhe lulëzimin e fushës sime.


DO TË TË DUA PËRSËRI















Kur të vij,
edhe në s’je
në s’të shoh,
ky veç mirazh do të jetë
E di që ti, në heshtje më pret
diku fshehur …
në zemrën që pa u lodhur rreh
e shpirtin e qetë, që kurre trishtim s’njeh.

Kur të vij,
edhe në s’je,
në s’të shoh
ky vec mirazh do te jetë.
E di që pas ditës sime do jesh ti;
ose
duke puthur të miat ëndërra.

Edhe në s’të gjej
kur të vij,
s’i besoj mirazhit.
E di, që pas fjalëve  magjike
do jesh
burim  i pashtershëm
jete e shpirti,
ngadhnjim mbi dësh’primin.

Edhe në s’të gjej
kur të vij,
imazhin tënd
fshehur brenda vetes mbaj,
që pëherë të të  kem;
të më kesh ngaherë.

Edhe në mos më pritsh,
unë përsëri do të vij.

Edhe në mos më duash,
do të të dua përsëri,

Dashuri!

DASHURI TOKËSORE





















S’dua të jem zot për ty, i  dashur.
As ti s’dëshiron të jesh zoti im, e di.
Dua të jem thjesht
dashuria e paqja jote,
butësia e ditëve,
ëmbëlsia e fjalëve,
ëndrra e mbrëmjeve.
Dua të dëgjoj rrahjet e zemrës tënde,
kur kokën të të mbeshtes në gjoks.

Kaq pak dua të jem për ty.
Kaq shumë dua të jesh për mua.

Le t’i lëmë Zotat në qiejt e tyre.
Le të dashurohemi njerëzisht
në Tokën tonë.