Translate

Monday, December 23, 2013






                            






MOTRES

                      


                  

Bija  të një babai,
Që ndonse ëngjëll në qiell
Shpirti i tij, rrugën na ndriçon si diell.

Bija të një nëne fjalëpakë
Stoike  e të mirë,
Shembulli ynë më i dlirë!

Motra të dy vëllezërve,
Djem t’bukur e azganë,
Që krah  i patëm gjithmonë.


Me mijëra inde dhe fije
Të lidhura unë e ti, motra ime.
Fije,ëndërrash dhe dashurie.


Orët  veshur janë e ndrijnë margaritar
E Ditët do shkëlqejnë  nga vezullimi yt nuse.
K’të  dimër,ti po na e kthen  ne behar.


Teksa ndonjë lot i ngrohte
 do të rrëshqasë në faqe,
Mos e fshij;
Është lezeti i kësaj dasme.



Në të bardha për pak ditë
Ti si Yll do të ndrish.
Si pajë të japim veç uratën tonë:
Një qiell lumturi, shumë, shumëfish.



18 dhjetor 2013


Sunday, June 23, 2013

UNË JAM JETA



















U rrita me hijën tënde,
qenie e padukshme,
errësirë.

Nëse ti ndenje me mua,
unë  nuk ndenja me ty,
errësirë.

Hija përpiqet t’më kontrollojë ditët,
por unë ndjehem e lirë prej teje,
errësirë.
 
Shpirti im, qenia e trupi,
përqeshin pushtetin tënd,
errësirë.

Lërmë të lirë!

Unë në fluturim me zogjtë
shoh
botën,
Lirinë
Unë shoh …

Ti vazhdon të më lidhësh
me pranga fjalësh,
po unë jam e lirë.

Më kot përpiqesh me mua,
humnerë shpirti,
armik i dëshirave.

Unë jam …
Nuk dua t’ia di në je ti.

Unë jetoj
dhe në mos jetofsh ti …

Unë jam ...

Jeta .…




DIKUSH MË BESOI ZEMRËN



















Dikush më besoi zemrën.
Brenda saj,
shtrova një shtrat me petale.
Muret i leva me ngjyra ylberi,
si dashuria.

Çati bëra 
hojet e ëmbla të fjalëve.
Dhe aty hyra të jetoja.
Kështu, ajo
u bë shtëpia ime e re.

Dikush më besoi zemrën,
Unë i besova veten.

NJË NATË QIELLI …













Qielli dhe sonte,
vuri kapelën e vjetër
me vrima yjesh.
Galaktikat me gëzim e padurim
iu ulën në prehër.
Hëna, si zonjë shtëpie,
iu serviri çajin e zi,
në filxhanë te ndritshëm kometash.
Asteroidët i përshëndetën
teksa po shëtitnin të qetë
rreth kapelës së vjetër.
Planetët nuk e pranuan ftesën
për çajin e darkës.
Ata ishin të zënë,
me dashurinë e përhershme
për orbitat e tyre.

















DËSHIRA NJERËZORE




















Perëndia
një lëmsh dëshirash njerëzore
në dorë më lëshoi.


Një natë, 
veç një natë më dha,
dëshirat t’i plotësoj.

Njerëzit kthyen kokën 
dhe në sy më panë:
Dëshirat t‘ua plotësoja unë
në një natë,
një natë të vetme …

Nxitoj.
Nga t’ia nis, vallë?

E para është gruaja.
Asaj, që buzeqeshja e pashpresë
i ka ngrirë në fytyrë.

Asaj, që venitja
shkëlqimin e syve i ka marrë. 
Asaj, që çdo mëngjes shihet në pasqyrë
e duart vë në barkun e saj,
e dëshira mëmësore i djeg në gji.
Asaj do t’i falja botën:
Një fëmijë.

Vajzave zemërthyera, 
zhgënjyer nga jeta,
buzëqeshjeharruar,
që vitet shohin me frikë,
e altarin dot s’e kanë parë,
që tremben nga fjala mashkull,
që veç për një natë a disa ditë
dashur i kanë,
nuk do t’u falja princin e kaltër,
po kurorën e bardhë,
e në krah  një njeri të thjeshtë,
që përherë ta kenë pranë.

Do fishkëlleja pastaj 
gjatë, fort,
gjersa timbri i fishkëllimës
të arrinte veshët e shurdhër
të fëmijëve të dikurshëm,
burra tashmë,
e t’iu përcillja,
vetminë dhe mallin prindëror
të nënave e baballarëve
të botës mbarë;
në atë fishkëllimë
t’u çoja  fjalët që, 
fëmijët burra, harruar kanë,
prindërve t’ua thonë.

Fëmijët,
ah ! fëmijët!
Fëmija im, femijët tanë.
Përse mundohen shkencëtarët,
ngulur mbi libra,
të gjejnë kuptimin e jetës?
Mundohen më kot, 
në labirintet pa krye
të arsyes së çoroditur
të gjejnë,
të fantazojnë,
si të kapin zenitet.
Dilni nga laboratoret
dhe shihni, 
shihni sytë e një femije,
dëgjoni zerin e tyre kristal,
pikturoni buzëqeshjen, 
dhe ndjeni
aromën engjëllore të një fëmije.
Aty,
pikërisht aty
nis gjithçka,
gjithçka rritet,
lind dhe perëndon 
vetë JETA. 
E unë,
mbartësja e dëshirave,
do të thaja 
lotët e fëmijëve kudo mbi glob,
e me to 
do bëja një det dashurie,
ku ata të lundronin
mes lumturisë engjëllore.


Perëndia me dha një natë,
një lëmsh me dëshira.
Veç një natë më dha …

E  ja,  agoi.

UNË DHE DIELLI













Një ditë dielli,
si një djalë
,
më shkeli syrin
e tij të bukur,
e unë
i fala buzëqeshjen.

Kaluan vite
e me diellin
në dashuri rashë,
me shkelje sysh
e buzëqeshje t’arta.

Porsa vinte nata,
ma merrte dashurinë,
e unë mëngjesin prisja,
diellin tim të kisha.


Histori e hershme
kjo e jona;
e lashtë sa vitet e mia.
Unë per diellin do jem
tokësorja,
ai për mua do t’jetë
gjithësia.



DETI



















Pse hidhesh e s’përmbahesh, det?
Të shoh të lumtur,
të ngazëllyer,
të vrullshëm të shoh.
Ah! – vajzat!
 Këto lozonjare të përjetshme,
lojën e tyre të përvitshme luajnë me ty;
linjat e tyre të bronzta
të paskan turbulluar mendjen, det,
dhe ti, i dhënë kaq shumë pas tyre,
i përkëdhel me dallgët tuaja, 
herë ëmbëlsisht i butë,
herë egërsisht i dashuruar

pas trupit të tyre femëror.