Translate

Sunday, June 23, 2013

UNË JAM JETA



















U rrita me hijën tënde,
qenie e padukshme,
errësirë.

Nëse ti ndenje me mua,
unë  nuk ndenja me ty,
errësirë.

Hija përpiqet t’më kontrollojë ditët,
por unë ndjehem e lirë prej teje,
errësirë.
 
Shpirti im, qenia e trupi,
përqeshin pushtetin tënd,
errësirë.

Lërmë të lirë!

Unë në fluturim me zogjtë
shoh
botën,
Lirinë
Unë shoh …

Ti vazhdon të më lidhësh
me pranga fjalësh,
po unë jam e lirë.

Më kot përpiqesh me mua,
humnerë shpirti,
armik i dëshirave.

Unë jam …
Nuk dua t’ia di në je ti.

Unë jetoj
dhe në mos jetofsh ti …

Unë jam ...

Jeta .…




DIKUSH MË BESOI ZEMRËN



















Dikush më besoi zemrën.
Brenda saj,
shtrova një shtrat me petale.
Muret i leva me ngjyra ylberi,
si dashuria.

Çati bëra 
hojet e ëmbla të fjalëve.
Dhe aty hyra të jetoja.
Kështu, ajo
u bë shtëpia ime e re.

Dikush më besoi zemrën,
Unë i besova veten.

NJË NATË QIELLI …













Qielli dhe sonte,
vuri kapelën e vjetër
me vrima yjesh.
Galaktikat me gëzim e padurim
iu ulën në prehër.
Hëna, si zonjë shtëpie,
iu serviri çajin e zi,
në filxhanë te ndritshëm kometash.
Asteroidët i përshëndetën
teksa po shëtitnin të qetë
rreth kapelës së vjetër.
Planetët nuk e pranuan ftesën
për çajin e darkës.
Ata ishin të zënë,
me dashurinë e përhershme
për orbitat e tyre.

















DËSHIRA NJERËZORE




















Perëndia
një lëmsh dëshirash njerëzore
në dorë më lëshoi.


Një natë, 
veç një natë më dha,
dëshirat t’i plotësoj.

Njerëzit kthyen kokën 
dhe në sy më panë:
Dëshirat t‘ua plotësoja unë
në një natë,
një natë të vetme …

Nxitoj.
Nga t’ia nis, vallë?

E para është gruaja.
Asaj, që buzeqeshja e pashpresë
i ka ngrirë në fytyrë.

Asaj, që venitja
shkëlqimin e syve i ka marrë. 
Asaj, që çdo mëngjes shihet në pasqyrë
e duart vë në barkun e saj,
e dëshira mëmësore i djeg në gji.
Asaj do t’i falja botën:
Një fëmijë.

Vajzave zemërthyera, 
zhgënjyer nga jeta,
buzëqeshjeharruar,
që vitet shohin me frikë,
e altarin dot s’e kanë parë,
që tremben nga fjala mashkull,
që veç për një natë a disa ditë
dashur i kanë,
nuk do t’u falja princin e kaltër,
po kurorën e bardhë,
e në krah  një njeri të thjeshtë,
që përherë ta kenë pranë.

Do fishkëlleja pastaj 
gjatë, fort,
gjersa timbri i fishkëllimës
të arrinte veshët e shurdhër
të fëmijëve të dikurshëm,
burra tashmë,
e t’iu përcillja,
vetminë dhe mallin prindëror
të nënave e baballarëve
të botës mbarë;
në atë fishkëllimë
t’u çoja  fjalët që, 
fëmijët burra, harruar kanë,
prindërve t’ua thonë.

Fëmijët,
ah ! fëmijët!
Fëmija im, femijët tanë.
Përse mundohen shkencëtarët,
ngulur mbi libra,
të gjejnë kuptimin e jetës?
Mundohen më kot, 
në labirintet pa krye
të arsyes së çoroditur
të gjejnë,
të fantazojnë,
si të kapin zenitet.
Dilni nga laboratoret
dhe shihni, 
shihni sytë e një femije,
dëgjoni zerin e tyre kristal,
pikturoni buzëqeshjen, 
dhe ndjeni
aromën engjëllore të një fëmije.
Aty,
pikërisht aty
nis gjithçka,
gjithçka rritet,
lind dhe perëndon 
vetë JETA. 
E unë,
mbartësja e dëshirave,
do të thaja 
lotët e fëmijëve kudo mbi glob,
e me to 
do bëja një det dashurie,
ku ata të lundronin
mes lumturisë engjëllore.


Perëndia me dha një natë,
një lëmsh me dëshira.
Veç një natë më dha …

E  ja,  agoi.

UNË DHE DIELLI













Një ditë dielli,
si një djalë
,
më shkeli syrin
e tij të bukur,
e unë
i fala buzëqeshjen.

Kaluan vite
e me diellin
në dashuri rashë,
me shkelje sysh
e buzëqeshje t’arta.

Porsa vinte nata,
ma merrte dashurinë,
e unë mëngjesin prisja,
diellin tim të kisha.


Histori e hershme
kjo e jona;
e lashtë sa vitet e mia.
Unë per diellin do jem
tokësorja,
ai për mua do t’jetë
gjithësia.



DETI



















Pse hidhesh e s’përmbahesh, det?
Të shoh të lumtur,
të ngazëllyer,
të vrullshëm të shoh.
Ah! – vajzat!
 Këto lozonjare të përjetshme,
lojën e tyre të përvitshme luajnë me ty;
linjat e tyre të bronzta
të paskan turbulluar mendjen, det,
dhe ti, i dhënë kaq shumë pas tyre,
i përkëdhel me dallgët tuaja, 
herë ëmbëlsisht i butë,
herë egërsisht i dashuruar

pas trupit të tyre femëror.

Saturday, June 22, 2013

MBI PIANO













Vallëzojnë gishtat mbi piano.
Në qiell vallëzojnë zogjtë.
Ajri vallëzon me flokët e pranverës.
Në  trupin tim,
zgjohet nj
ë melodi,
luhet nj
ë  ritëm gëzimi,
dëgjohet një këngë.


... vallëzojnë gishtat mbi piano.





NJË DREJTIM



















Të gjitha rrugët më çojnë drejt teje.

Më çon zemra, që ty të ka rrahje.
Më çon fjala qëndisur me mëngjesin.
Më çon shpirti bashkë me universin.

Të gjitha rrugët të sjellin drejt meje.







NJË KUJTIM HIJE




















Sonte një hije endet vjedhurazi
ngjizur në kujtimin tënd,
kërkoka të lindë ngjizjen e saj
në shpirtin tim,
të mbijë,
të rritet …

Por jo!
S’dua rrënje e farë gjëmbash,
në plisin pjellor të shpirtit tim;
s’dua rrënjë të thara,
s’dua mbetje të zverdhura,
në ndjesitë e mia të pastra.

S’dua jo!

E, në mos gjetsha c’të mbjell,
djerr le të ngelë.

E në mos paça me ç’ta ujis,
le të thahet si shkretëtirë.

Por,
ty hije, ngjizur në kujtimin tend,
portën s’ta hap.
Shko!
Gjej shpirtin tënd binjak.
Shko!

LOJË PRANVERORE




















Sot u putha me pranverën.
Se si ndodhi, jo, s’e di;
erdh’ më puthi ajo para,
apo un’ e putha përsëri.

Ajri i blertë, gjith’ vesë,
më përk’dheli mu në faqe,
m’ erdh si  zanë me njëmij’ ngjyra,
ulur mbi një manushaqe.

Sot u putha me pranverën.
Edhe vjet me të u putha,
si rituale dashurie,
pa foleza nëpër fusha.

Sot u putha me pranverën.
Shëëëëëët , ju lutem, mos tregoni,
Kur t’ na shihni sërish bashkë,
lojën ton’ do ta kuptoni.




LULËZIM















Fushë
e paanë,
e pafund.

Nën çatinë e saj
varen medaljone stalaktidesh
të formëzuara çuditshëm.
E, në mes tyre,
mendimet e mia dhe unë
flemë    syhapur
për të parë shkrirjen
e akujve
dhe lulëzimin e fushës sime.


DO TË TË DUA PËRSËRI















Kur të vij,
edhe në s’je
në s’të shoh,
ky veç mirazh do të jetë
E di që ti, në heshtje më pret
diku fshehur …
në zemrën që pa u lodhur rreh
e shpirtin e qetë, që kurre trishtim s’njeh.

Kur të vij,
edhe në s’je,
në s’të shoh
ky vec mirazh do te jetë.
E di që pas ditës sime do jesh ti;
ose
duke puthur të miat ëndërra.

Edhe në s’të gjej
kur të vij,
s’i besoj mirazhit.
E di, që pas fjalëve  magjike
do jesh
burim  i pashtershëm
jete e shpirti,
ngadhnjim mbi dësh’primin.

Edhe në s’të gjej
kur të vij,
imazhin tënd
fshehur brenda vetes mbaj,
që pëherë të të  kem;
të më kesh ngaherë.

Edhe në mos më pritsh,
unë përsëri do të vij.

Edhe në mos më duash,
do të të dua përsëri,

Dashuri!

DASHURI TOKËSORE





















S’dua të jem zot për ty, i  dashur.
As ti s’dëshiron të jesh zoti im, e di.
Dua të jem thjesht
dashuria e paqja jote,
butësia e ditëve,
ëmbëlsia e fjalëve,
ëndrra e mbrëmjeve.
Dua të dëgjoj rrahjet e zemrës tënde,
kur kokën të të mbeshtes në gjoks.

Kaq pak dua të jem për ty.
Kaq shumë dua të jesh për mua.

Le t’i lëmë Zotat në qiejt e tyre.
Le të dashurohemi njerëzisht
në Tokën tonë.




TROKITJE PRANVERORE















Dhe një,
dhe dy,
dhe tre cicërima zogjsh -
ha-ha-ha,
qenkan më shumë,
nuk arrij t’i numuroj dot
e, jemi akoma në Shkurt.

I dëgjon dhe ti,
k
ëto këngë  cicërimash,
në dritaren time?
I d
ëgjon?
Aherë eja, eja, me mua,
t’i shtrojmë ca petale dëshirash cicërimave të tyre,
ndoshta pranvera na i kthen në nota muzike -

Dhe tre,
dhe katër,
dhe dhjetë cicërima zogjësh;
pranvera qenka rrugës:
Po dal ta pres,

eja dhe ti  me mua !

DIMËR













Dimër.
Në gjirin e tokës
prehen rrënjët 
e një trungu të paepur,
që mban mbi vete 
degë të zhveshura.

Ai i gëzohet një gjetheje,
të vockël, lodërtare,
mbetur mbi një degëz 
tashmë të tharë.

Dimër.
Gjethja e vockël,
e vetme,
gëzohet tek ndjen 
fëshfërimën nevrike të erës,
që dot s’arrin 
majat e cicërimave të zogjëve. 

Ajri përthyen cicërimat e tyre
në pasqyrën e lumit,
që përplas rrjedhën e egër
në rrënjët e trungut, 
si në një krushqi të hershme,
kthyer në mëri.

Lumi zgjon çdo ditë 
me një zë shurdhues 
trungun e paepur;
me zërin e tij të ngjirur
gjethëzën thërret.
Ajo, lodërtare,
ndruhet,  
s’pipëtin, 
ndërsa,
ajri i përskuq faqet
dhe zogjtë zemërmirë
lënë erën nevrike
t’ua kalojë  cicërimave 
të tyre,
që gjethen mos t’ia marrë
pemës së zhveshur.

Dimër.
Fryn e fryn era e marrë! 

Wednesday, June 19, 2013

PER GJYSHEN TIME







Gjyshja ime
në kokë mbante një shami të bardhë;
nen to,
flokët e thinjur dhe vitet  e saj.


Gjyshja ime fliste rrallë,
por fjalët ia desha,
si rrudhat në ballë.

Ia desha vitet dhe më shumë:
nëpër ta shkruar e kaluara e saj
dhe prejardhja ime e thjeshtë.
  
Gjyshja ime
nën rroba të zeza
fshihte një zemër të bardhë.


Kur engjëjt e morën,
në dekadën e nëntë,
asgjë nuk mori me vete:
Na i la
fjalën,
zemrën
dhe shaminë e bardhë.


AUTOPORTRET




















Jeta ime sythet çeli në pranverë,
atëherë,
kur e urta gjyshe,
Dritë – emrin më dha,
ndërsa ime më,
mes lotësh gëzimi,
bijë, bija ime- me tha

Isha fëmijë i parë,
lindur në  maj,
kur aroma e trëndafilave
përkëdhelte
ëndrrat e një sythi të porsaçelë.


Isha fëmija i parë,
ëndrra,
që im atë dhe nëna,
thurur kishin
në dashurinë e tyre.

Në ditënetët e mia,
si një varg argjendi,
ditën më ngrohte dielli,
natën më freskonte hëna;
 me  pekule
më rriste mua nëna.

Të parën fjalë
një ditë belbëzova:
– baba! – thashë;
 zemra e tij mal,
si një zog me krahë.

Dhe ja, një tjetër ditë,
hodha hapin e parë:
Në sytë e nënës 
ndritën margaritarë.

Pastaj gërmen mësova 
ta qëndis mbi letër;
s’ish shpikje,  jo,
shkruaja - zhgarravisja
si çdo fëmijë tjetër.

Rritesha ndër vite
gjithë dashuri,
që ime më  m’dhuronte,
fjala e tim eti
udhën më ndriçonte.

Rrugëtimi në vite,
nuk  qé veç asfalt,
herë shteg i thepisur,
e herë rrugë me baltë,
këmbët herë më skuqeshin,
herë nxiheshin ato,
po unë kurrë s’u ndala,
jeta m’thosh: - Vazhdo!

Tani që pas
dyzet vjet kam lënë,
“bijëz” isha dje,
e sot jam bërë nënë,
gjysmën e shpirtit 
viteve u kam vënë.

Baba tani
thërrasin veç kujtimet,
dor’ e rreshkur e gjyshës
më s’më përkëdhel,
zëri i saj i ëmbël,
në gjithësi i tretur.

Dyzet vite shkuan,
gati gjysmë e jetës,
udha prap e gjatë,
ëndrrat  n
ë jetë ,
përsëri do mbjell,
dashurinë që m’
 dhanë
bijës do t’ia përcjell.

























PRANVERË 




Dita ime pi Diellin
në një kupë të gjelbër Pranvere,
nësa unë, ulur në poltronën e kaltër të qiellit,
shoh si meteorët përtypin retë
për të më lënë veç
me qiellin,

ditën,
Diellin
dhe Pranverën.



Planetet na kanë zili mua dhe Tokën.

S’është faji im, që dita ime ndrin 
nga dielli, që pi qysh në lindje ....
Pranvera ka ardhë…e unë përdore me të

shëtis e lumtur universin.